Haradinaj: Kurtin e ‘Sfekllën’ s’i ka falë nana trima për me luftu, urën do ta kisha hapur para 2-3 vjetësh, ka qenë plani amerikan

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj e akuzoi Qeverinë se po bën skenare për ta mashtruar popullin.
Haradinaj tha se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla po i bëjnë këto “për me e mbulu diqysh deficitin patriotik”.

“Për mua çka të bën Albin Kurti, Sfeklla e ai tjetri e kanë me e fshehë, pra me e mbulu diqysh deficitin e patriotik se s’i ka falë nana trima kurrë një prej tyre me luftu kur ka qenë vakti. Albini s’ka luftuar, Sfeklla s’ka luftuar, Zyba s’ka luftu, u fshehë. Sot e marrin në Kosovë një Kosovë, perspektivën euro-atlantike me qeto filma që po i bëjnë”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

“Besoj shumë që ky popull di me lexu dhe di me ua lexu ato mashtrime”, tha ai.

Sipas Haradinajt, me të në krye të Qeverisë, ura do të hapej “para 2-3 vjetësh”, ndërsa shtoi se ka pasur “një plan amerikan”.

“Unë e kisha çelë urën para 2-3 vjetësh. Ka qenë plani amerikan, me tabela… Sot vjen puna me të thënë ‘mos m’i rreziko ushtarët’…”, tha ai.

Haradinaj tha se Qeveria po i rrezikon aleancat e rëndësishme dhe “duhet me shku në shtëpi”.

Ai tha se zgjedhjet e shpallura me 9 shkurt 2025 janë “një mundësi e jashtëzakonshme që të kthehemi në normalitet”.

“Populli i Kosovës do të dijë të dëshmojë se nuk është popull analfabet, ashtu siç i ka cilësuar kjo qeveri, se nuk mashtrohen dhe nuk harrojnë, se jemi popull mirënjohus ndaj Amerikës dhe nuk e lejojmë asnjë qeveri me i lëndu raportet tona me Amerikën”, tha Haradinaj.

Ai tha se AAK-ja me partneret e saj në koalicion, “Nismën, Konservatoret, Intelektualët janë bërë bashkë të përballen me ata që kanë shkelë mbi çdo vlerë, kanë fyer, kanë nënçmuar e kanë shpifur, kanë tradhtuar besimin e qytetarit”.

Lexo edhe:  Rrahje brutale në Prizren, bëhen "kërrsh" - 9 persona lidhen nga Policia