Ky është i arrestuari i dytë për vrasjen e axhës se Prindon Sadriut
Një 89-vjeçar është vrarë mbrëmë në oborrin e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt. I dyshuar për këtë vepër është Festim Ramadani, zyrtar policor, i cili dyshohet se ka përdorur armën e tij zyrtare.
Ndërsa pas tij, policia ka arrestuar edhe një person tjetër. Gazeta Insajderi ka mësuar se i arrestuari i dytë për këtë rast është Jeton Misini.
Misini dhe Ramadani kanë lidhje familjare mes vete.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje ka privuar nga jeta të moshuarin, Sadri Sadriu.
Ndërsa Jeton Misini dyshohet se në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Polici, Festim Ramadani e ka thënë vetëm një fjalë në stacionin policor, kanë treguar burimet e Insajderit.
“Ai është pedofil”, ka qenë e vetmja fjalë e tij.
Më pas ka refuzuar që të përgjigjet edhe kur është pyetur për emrin e tij personal.