Therje me thikë në Podujevë, një i mitur dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK
Përleshjet mes të rinjve ku përpos grushteve përdoren edhe mjetet tjera të forta e të mprehta, janë bërë të shpeshta në vendin tonë. Ka shumë raste kur ato kanë përfunduar në mënyrë tragjike, duke u shndërruar kështu në një dukuri shqetësuese.
Një rast i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:15 në rrugen ‘19 Qershori’ në Podujevë, ku një person i mitur është therur me thikë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë bërë të ditur 15-vjeçari është dërguar për ndihmë mjekësore atje i shoqëruar nga dy persona.
Për shkak të natyrës së lëndimeve, viktima është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë për rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo nuk është arritur ende që të identifikohen personat e dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.