Të rinjtë i zë sherri midis rrugës në Prishtinë, dy persona i sulmojnë dhe ua godasin veturën

Sjelljet agresive e veprimet e dhunshme shpesh herë fusin në telashe me ligjin të rinjtë kosovarë. Kjo pasi që sjelljet e tyre të cilat përbëjnë kërcënim për sigurinë e të tjerëve, denoncohen nga qytetarët të cilët janë të atakuar e që kërkojnë mbrojtjen e Policisë.

Një sulm ndaj dy të rinjve ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30 në rrugën ‘Agim Ramadani’ në kryeqytet, ku dy persona të cilët po ashtu janë të moshave të reja, dyshohet se i kanë sulmuar ata.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të rinjtë teksa kanë qenë duke lëvizur me veturën e tyre, janë ndjekur nga pas nga një automjet tjetër.

Bazuar në dëshminë e viktimave, dy të dyshuarit u kanë bërë me shenjë që të ndalen e më pas kanë goditur veturën e tyre duke shkaktuar aksident. Pasi janë ndalur, 24 dhe një 23-vjeçari dyshohen se kanë filluar të godasin me shqelma veturën e viktimave e madje kanë hedhur edhe shishe xhami dhe njëri nga ta ka tentuar që të sulmojë fizikisht njërin nga viktimat.

Përballë kësaj situate, dy të rinjtë kanë lajmëruar Policinë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë konfiskuar një kaçavidë e cila dyshohet se është përdorur nga njëri prej të dyshuarve gjatë sulmit.

Po ashtu dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tyre është iniciuar rasti për vepera ‘Sulm’ dhe ‘Dëmtim apo asgjësim i pasurisë’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Një muaj paraburgim ndaj serbit që dyshohet se gjuajti me armë Policinë e Kosovës