73 vjeçarja shqiptare kapet me 500 mijë euro kesh
Një operacion i zhvilluar nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria ka çuar në zbulimin e një skeme të dyshuar huadhëniesh me përqindje jashtë sistemit bankar, ku janë sekuestruar rreth 500 mijë euro.
Subjekti në fjalë, një këmbimore valute në kryeqytet, dyshohet se shërbente si vend ku depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimi për huadhënie me interesa të larta.
Sipas Policisë, në përfundim të operacionit të koduar “Hidden Funds”, është proceduar penalisht në gjendje të lirë pronarja e subjektit, shtetasja E. K., 72 vjeçe.
“Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden Funds”.
Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, procedohet në gjendje të lirë pronarja e subjektit.
Sekuestrohen rreth 500 000 euro , të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe.
Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.