Këta janë dy dillerat e Gjilanit që ranë në pranga, Policia u gjeti kokainë e ekstazi në shtëpi

Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar substanca narkotike. Në kuadër të luftimit të kësaj dukurie, njësitë policore kanë arritur që të identifikojnë në Gjilan dy persona të cilët dyshohet se shpërndanin substanca narkotike, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se bëhet fjalë për Liburn Limani 23-vjeçar dhe Butrint Brestovci 24-vjeçar.

Burimet bëjnë me dije se Limani dhe Brestovci janë arrestuar në fshatin Pasjak dhe më npas Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpitë e tyre, ku kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të substancës narkotike të llojit kokainë, marihuanë dhe ekstazi, si dhe para të gatshme që dyshohet të jenë përfitur përmes shitjes së narkotikëve.

Kujtojmë që në muajin prill të këtij viti, shtëpia e Brestovcit ishte cak i bastisjes, ku zyrtarët policorë kishin sekuestruar rreth 400 gramë marihuanë.

Dy të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Blerja, posedimi dhe shitja e substancave narkotike’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Plani i Gjermanisë për të marrë punëtorët e kualifikuar, këto janë detajet