39-vjeçari në Gjilan kërcënon zyrtarët policorë që deshën ta gjobisin në trafik, përfundon në mbajtje
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Pakënaqësitë për gjobat e shqiptuara në trafik janë një ndër arsyet kryesore që shtyjnë qytetarët të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Esat Berisha’ në Gjilan, ku një njësi e Policisë që po patrullonte në atë zonë ka ndalur një veturë që kishte thyer rregullat në trafik.
Pas ndaljes nga Policia, shoferi nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë dhe të njëjtit i ka kërcënuar e më pas ka tentuar që të largohet nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë 39-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.