35-vjeçari në Viti i bën telashe stafin e QTM-së, sulmon fizikisht kamerierin

Personat të cilët ushtrojnë zanatin e kamerierit, shpesh herë gjatë detyrës së tyre përballen me klientë të cilët kanë sjellje arrogante e me rast edhe agresive ndaj tyre. Këta të fundit shpesh eskalojnë edhe në fyerje e sulme fizike ndaj punonjësve të gastronomisë.

Një rast i tillë ka ndodhur pak ditë më parë në kafenenë QTM e cila ndodhet në rrugën Viti – Kllokot, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht kamerierin.

43-vjeçari si pasojë e lëndimeve të marra, ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë se pas intervistimit, i dyshuari fillimisht ishte liruar që të hetohet në procedurë të rregullt, duke premtuar se s’do të shkojë më në QTM.

Por Sinjali mëson se ai ka vazhduar të shkaktojë probleme në lokalin në fjalë, pasi që dje gjatë ditës ka shkuar dhe ka tentuar të futet me forcë brenda lokalit.

Si rezultat i kësaj, stafi sërish ka denoncuar rastin në Polici dhe 35-vjeçari është arrestuar sërish.

Lidhur me rastin ka dhënë dëshminë e tij edhe pronari i lokalit, i cili ka deklaruar se ky person ka disa muaj që e ngacmon me fjalë fyese.

Kësaj here me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

 

Lexo edhe:  Ligji për Pagat do të korrigjohet, këto janë kategoritë që do të preken