29-vjeçari në Pejë kapet në flagrancë me drogë dhe thikë, arrestohet nga Policia

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Pejë, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Mbreti Agron’, ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Sinjalit njoftojnë se gjatë kontrollit, shoferit i janë gjetur sasi të substancës së dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe marihuanë, si dhe një mjet i mprehtë.

Gjësendet e kundërligjshme janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa 29-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Dëm i madh për ferizajasin, i digjen dy furgonët e kompanisë – dëmi rreth 20 mijë euro