21-vjeçari në Prishtinë sulmon fizikisht nënën dhe vëllain e tij

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën dhe vëllain e tij.

Sinjali mëson se viktimat kanë arritur që të ikin nga shtëpia dhe të kërkojnë ndihmën e  Policisë, ku gjatë dhënies së dëshmisë së tyre kanë bërë me dije se 21-vjeçari fillimisht ka sulmuar nënën e tij, e më pas e ka rrahur edhe vëllain i cili tentoi t’i ndajë.

Viktimat kanë marrë tretman mjekësor, për shkak të lëndimeve të pësuara nga dhuna, teksa njësitë policore kanë arrestuar të riun dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Shtetasja gjermane pranon fenë Islam në Kosovë