18-vjeçarja në Mitrovicë u rrëmbye gabimisht, të dyshuarit pasi e keqtrajtuan e lanë afër shtëpisë së saj
Sot u raportua për një rast tejet të rëndë që ndodhi mbrëmë në Mitrovicë, ku disa persona ende të paidentifikuar kanë rrëmbyer një vajzë 18-vjeçare. Vajza e re u keqtrajtua për disa orë gjatë kohës që u mbajt e mbyllur në një lokacion të panjohur.
Përmes burimeve brenda Spitalit, Sinjali ka mësuar detaje tjera tronditëse nga rrëfimi i vajzës, e cila ka treguar se ajo u lirua nga rrëmbyesit pasi e kanë kuptuar se kanë kapur vajzën e gabuar dhe ajo atë që ishte caku i keqbërësve.
Pasi u rrëmbye gabimisht dhe u torturua për orë të tëra në forma të ndryshme, 18-vjeçarja është liruar, me ç’rast rrëmbyesit e kanë lënë atë në afërsi të shtëpisë së saj.
Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima është transportuar në Qendrën Klinike Universitare , ndërsa motivi i rrëmbimit akoma nuk dihet, por detajet që u kuptuan janë tronditëse.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Rrëmbim”, teksa hetimet për identifikimin e të dyshuarve dhe mbledhjen e provave që zbardhin ngjarjen po vazhdojnë.
Gazeta ka kontaktuar edhe Policinë Rajonale në Mitrovicë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje, ndërkohë që rastin e kanë konfirmuar nga Prokuroria.