Zv/ministri Radomiroviq, ish-kryetarit të Leposaviqit Todiq: Kurrë më s’do të kthehesh në komunë – je pjesë e krimit

Qytetarët e Leposaviqit ka disa ditë që po protestojnë kundër hyrjes së zëvendësministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, dhe dhjetëra personave të tjerë në ndërtesën e kësaj komune.

Njëjtë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme, ku Radomiroviqi nuk u lejua të hynte në ndërtesë bashkë me një grup të rinjsh.

Mirëpo, zëvendësministri i Kosovës këtu shfrytëzoi rastin që të zhvillonte një bisedë me ish-kryetarin e komunës, Zoran Todiq, i cili është në mesin e atyre që po protestojnë kundër tij.

Në një video të siguruar nga Klankosova.tv, dëgjohet zëvendësministri teksa konfrontohet me fjalë me ish-kryetarin Todiq.

Radomiroviqi, i cili i thotë Todiqit se kanë qenë miq të ngushtë, e akuzon atë se është rreshtuar me krimin.

Ndër të tjera, i thotë se në një bisedë mes tyre dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, ata janë pajtuar se prapa vrasjes së Oliver Ivanoviqit qëndron Milan Radojiçiqi.

Radomiroviqi e pranon se do të dëshmojë për vrasjen e politikanit Ivanoviq, ndërsa e akuzon Todiqin se ia ka larguar bashkëshorten nga puna pikërisht për këtë shkak.

E akuzon edhe për krijimin e organizatës “Mbrojtja Civile”, të cilën së fundmi qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste.

Më poshtë, pjesë nga biseda mes Radomiroviqit dhe Todiqit:

Radomiroviq: “Deri dje ke qenë këtu në komunë, por ke qenë për të plaçkitur. Por kurrë në jetë nuk do të ktheheni në komunë, më beso, populli serb kurrë nuk do të lejojë më të vjedhësh e plaçkitësh qytetarët. S’ka më plaçkitje e vjedhje. Kurrë më. Populli do të ngritët kundër jush, kundër teje Zoki”.

Radomiroviq: “E ke larguar gruan time nga puna sepse do të dëshmoj për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Jemi ulur në tavolinë dhe kemi ardhë në përfundim se prapa kësaj qëndron Milan Radojiçiqi. Unë, ti dhe Slavko Simiqi. Zoki, unë dhe ti kemi qenë miq të ngushtë, por ti shkove kah krimi Zoki. Kurrë më nuk do të ktheheni këtu”.

Lexo edhe:  Dy të rinj goditen për vdekje nga treni, njëri nga ta nga Kosova

Radomiroviq: “Më trego, përse e vendose nënshkrimin për Mbrojtjen Civile dhe i ke zhvendosur fëmijët në Serbi, 100 fëmijë? I ke armatosur ti personalisht. Ke marr vendim për formimin e Mbrojtjes Civile, për armatosje. I maltreton qytetarët, i nxjerr këtu për të protestuar për fëmijët që vetëm një pagë e duan. Ti pranon 8 paga! Ku i ke fëmijët e tu? Përse nuk protestojnë fëmijët e tu? Fëmijët e tu janë në Beograd, pranojnë paga. Ta dish që i kam fotografuar të gjitha donacionet që i ke marr për vete dhe për miqtë. Do t’i publikojmë shumë shpejt të gjitha donacionet që i ka marrë Todiqi dhe ekipi i tij”.

Radomiroviq: “Mos i maltreto fëmijët, ata e bëjnë punën e tyre në interes të qytetarëve”.