Caktohet masa e dorëzanisë ndaj personit që dyshohet se kanosi avokatin Berisha

Gjykata nuk ia ka caktuar masën prej 30 ditë paraburgim Abdullah Mjekut, i cili dyshohet se e ka kërcënuar avokatin Besnik Berisha.

Kështu deklaroi avokati mbrojtës i Abdullah Mjekut, Rexhep Podvorica, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, klienti i tij Abdullah Mjeku është i lirë, sepse Gjykata ka caktuar masën e dorëzanisë dhe jo të paraburgimit.

“Gjykata nuk ka caktuar paraburgimin për palën Abdullah Mjeku dhe ka refuzuar një propozim të tillë të Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit dhe siç shihet nga vendimi, Gjykata ka caktuar masën e dorëzanisë dhe siç shihet nga fotografia e shkrepur sot me mua dhe e publikuar tani, z.Abdullah Mjeku është i lirë”- ka shkruar avokati Podvorica.

Ai ka mohuar raportimet e mediave të cilat kishin shkruajtur se Mjekut i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

“E kam publikuar edhe aktvendimin, klientit tim nuk i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai në profilin e tij në Facebook e ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se “refuzohet kërkesa e Prokurorisë Themelore të Prishtinës… për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Abdullah Mjeku”.

Sqarim: Ky artikull është përditësuar pas vërejtjes së Fact Checker “Internews Kosova”
Lexo edhe:  Polici “kapadai” i përfshirë në incidentin me Lushtakët, IPK-ja e Policia s’flasin për të bëmat e tij