Zv/kryeministri serb: Kosova po armatoset kundër Rezolutës 1244 dhe marrëveshjes së Kumanovës

Zëvendëskryeministri serb dhe ministri i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, pas sjelljes së dronëve turq “Bajraktar” në Kosovë, ka deklaruar se në kohë të fundit “Kosova po armatoset shumë seriozisht”.

Sipas fjalëve të tij, këtë “nuk po e bën NATO si Aleancë, por anëtarët individualë të NATO-s, të cilët kryejnë trajnime, shkollime dhe aftësime të kuadrove të tyre, dhe tani edhe iu japin armë dhe pajisje ushtarake, duke shkelur kështu Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen e Kumanovës”.

“Por realisht ata nuk e kanë gajle për këto akte dhe drejta publike ndërkombëtare, shqiptarët jo vetëm që morën pesë fluturake “Bajraktar”, por edhe sisteme shumë serioze kundër mjeteve të blinduara dhe kundër-tanke, si dhe mortaja me mina dhe gjëra tjera që nuk janë për t’u nënvlerësuar. Agjencitë tona të inteligjencës këtë po e ndjekin me kujdes, ne kemi qenë të njoftuar në momentin kur Bajraktarët kanë ardhur në Kosovë”, ka thënë Vuçeviq për televizionin në shërbim të regjimit serb “TV B92”.

Ai ka pretenduar se kjo “nuk ndryshon ekuilibrin e fuqisë, por sigurisht që ndryshon pamjen në terren dhe paraqet një rrezik dhe sfidë shumë më serioze të sigurisë për Serbinë”.

“Ne jemi duke zbatuar gjithçka që është kundërmasë dhe me të cilën ushtria serbe mund të përgjigjen ndaj “rrezikut”, në disa drejtime dhe masa në drejtim të ndalimit të këtyre fluturakeve përmes veprimit të sistemeve të caktuara dhe neutralizimit elektronik. Kjo nuk do të thotë se po përgatitemi për luftë, e për çfarë po përgatitet Albin Kurti – le të mendojnë të tjerët”, përsëri është shprehur Vuçeviq me kërcënimet boshe dhe dëshpëruese.

Lexo edhe:  Aksident trafiku mes dy veturave në rrugën në Prishtinë, pamje nga vendi i ngjarjes