Zjarr në një shtëpi në Pejë, 14 vjeçarja dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK
Një rast i rëndë ka ndodhur të mërkurën në një shtëpi në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku në rrethana akoma të panjohur një dhomë është përfshirë nga zjarri dhe për pasojë një 14-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë me dije se vajza është dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor si pasojë e plagëve që ka marrë nga flakët që kapluan atë dhomë të shtëpisë.
Posa rasti është raportuar në Polici, njësitë përkatëse bashkë me Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të intervenuar.
Në dhomën ku pësoi djegie vajza ishin bërë shkrumb e hi dy shtretër, por ende s’dihet se si ka ardhur deri të zjarri që i shkaktoi lëndime të rënda trupore të miturës.
Eksperti i zjarrit ka bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që Policia ka marrë disa deklarata nga familjarët lidhur me atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të vajzës s’ka informacione akoma, por që ajo është dihet është se ajo po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK.