Zhduket vetura nga vendi ku e kishte lënë të parkuar – Dyshohet për vjedhje të rëndë në Gjakovë

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike.

Një rast i tillë është raportuar në fshatin Vraniq të Gjakovës, ku një person ka denoncuar se i është vjedhur vetura.

Burime të sigurta të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se F.M., rreth 43-vjeçar ka raportuar se rreth orës 06:30 e ka lënë veturën e tij të parkuar në fshat, ndërsa kur është kthyer nga puna në orën 17:00, ajo nuk ndodhej më në vendin ku ishte lënë.

Sipas ankuesit, bëhet fjalë për një veturë të tipit Fiat Punto, ngjyrë e bardhë, viti i prodhimit 1998, e cila nuk posedon tabela regjistrimi, pasi ishte ç’lajmëruar më 05.04.2024.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe Njësia e Hetimeve, ndërsa është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet janë në zhvillim dhe Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe lokalizimin e automjetit të vjedhur.

Lexo edhe:  “Ishte në kërkim nga policia”, arrestohet 21-vjeçari nga Prizreni