Zhduket personi që kërkoi ndihmë “për vëllain e tij të sëmurë”, nuk dihet ku shkuan mijëra euro!
Një person i prezantuar si Armend Morina, për disa ditë u lut që në portal të Klan Kosovës të bëhet një lajm me të cilin njerëzit e vullnetit të mirë, do të ftoheshin ta ndihmojnë vëllanë e tij, Blerimin për t’u shëruar nga leukemia acute. Madje, i njëjti edhe kishte telefonuar në redaksi.
Lajmi tashmë kishte dalë edhe në disa medie tjera online, por edhe televizione, dhe më në fund, edhe redaksia e Klankosova.tv vendosi të kontribuoj, sikur në shumë raste të tjera.
Andaj një gazetar u angazhua që të flas me Armendin. Në kësi rrethana, fatkeqësisht, dhembshuria mund ta lë argumentin në radhë të dytë.
Lajmi i bazuar në bisedë që gazetari kishte, por edhe në të dhënat e një profile me emrin e Blerim Morinës, doli në portal. Edhe në këtë rast, si në shumë të tjerë, pati mobilizim të vullnetmirëve. Shumë sish e kontaktuan atë që u prezantua si vëllai I Blerimit dhe e siguruan se paratë e nevojshme do të mblidhe.
Por, gjërat nisën të marrin kahje të dyshimtë. Telefoni i personit të prezantuar si Armendi, ka disa ditë që nuk funksionon më. Dhe donatorët kanë nisur të shqetësohen nëse paratë e dhuruara vërtetë shkuan ku duhet, apo u mashtruan.
Kjo, shtyri Klanin që të nis kërkimin për të. Një ekip qëndroi në Mitrovicë, qytetin e prezantuar si vendbanim i Blerimit.
Por, nuk e njohu kush as në rrugën Agim Ramadani që u dha si adresë e tij, e as në pjesë tjera të qytetit.
Ndërkohë, as në Klinikën e Hematologjisë ku trajtohet Leukemia acute, nuk kanë mundur të konfrmojnë në fundjavë se kanë pasur pacient me emër të tillë.
Drejtori Shemsedin Sadiku, I tha Klanit se as atij e as stafit nuk i kujtohet kësi pacienti, ani se zyrtarisht kjo mund të konfirmohet tek të hënën.