Zbulohet kush është i riu që u kap nga Policia me armë ilegale në Prishtinë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, teksa Policia po patrullonte dhe ndaloi një veturë, ku pas kontrollit gjeti një armë zjarri.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari që u arrestua për armë ilegale është Diamant Asllani, rreth 23-vjeçar.

Arma me karikator e fishekë që u gjetën janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Lexo edhe:  Ganimete Musliu udhëton drejt Gjermanisë, do t’i nënshtrohet një operimi në zemër