Zbulohet kush është i dyshuari që bashkëjetoi me 15-vjeçaren në Gjilan dhe kreu marrëdhënie seksuale me të

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Gjilan, është arrestuar një 21-vjeçar, i cili dyshohet për dhunimin e një 15-vjeçarje.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Fetah Abazin, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur së fundmi, kur viktima ka bashkëjetuar me të dyshuarin, në banesën e tij, në Gjilan dhe gjatë asaj periudhe dyshohet se është kryer vepra.

Sinjali mëson se gjithçka u zbulua kur viktima kërkoi ndihmë nga Policia, pasi babai i saj e kishte dëbuar prej shtëpisë që nga momenti kur e mori vesh se vajza e tij po qëndron te i dyshuari.

Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Petkoviq me pretendime: Nata e kaluar ishte ferr për qytetarët e Mitrovicës së Veriut