Zbulohet identiteti i policit që dyshohet se sulmoi fizikisht gjyqtaren e Gjykatës në Mitrovicë
02 Press pak më parë raportoi se gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijevic, mëngjesin e së martës ishte cak i një sulmi fizik. Virijevic dyshohet se u sulmua nga një person i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Sinjali mëson ekskluzivisht se polici që dyshohet se sulmoi gjyqtaren është Zoran Jelenic.
Jelenic ishte jashtë detyrës zyrtare momentin kur i doli në pritë para Qendrës së Mjekësisë Familjare në Leposaviq dhe e sulmoi Virijevic duke e shtyrë në gjoks.
Sinjali ka dërguar pyetje në Inspektoratin e Policisë së Kosovës për të marrë informacione nëse të njëjtit kanë marrë veprime hetimore për rastin ku i përfshirë si i dyshuar është Jelenic, por që ende nuk ka marrë përgjigje.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Sulm’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.