Zbulohen detajet e vrasjes seë 48 vjeçarit, i dyshuari ende në arrati

Një ngjarje e rëndë tronditi Prizrenin, ku në orët e pasdites së djeshme, për motive akoma të panjohura, 48-vjeçari Beqir Morina u vra nga i dyshuari Aziz Gashi. Krimi ndodhi në lagjen “Arbana” dhe dyshohet se 50-vjeçari përdori një pushkë automatike për ta kryer vrasjen dhe më pas u zhduk nga vendi i ngjarjes.

Policia e ka shpallur Gashin në kërkim, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

“Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregon njëri nga dëshmitarët e rastit.

Teksa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes po vazhdojnë, Policia akoma nuk ka rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili mbrëmë i shpëtoi prangave duke ikur.

Lajmin e ka konfirmuar togeri i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi./Sinjali

Lexo edhe:  Djali përdorues i narkotikëve rrah nënën e tij, ajo kërkon ndihmë nga Policia