Xhelozia i fut në sherr burrë e grua, rrahen mes vete dhe përfundojnë në Polici
Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur.
Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjilan.
Këtë herë, një burrë e një grua përfunduan në Polici pasi u kapën mes vete pas një konflikti verbal.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se si pasojë e mosmarrëveshjes, çifti eskaloi në dhunë fizike, duke e sulmuar njëri – tjetrin.
Bazuar në informacionet e para, burri fillimisht e ka rrahur gruan, duke e tërhequr edhe zvarrë, teksa edhe ajo më pas e ka sulmuar.
Siç mëson Sinjali, dy palët u shoqëruan në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat lidhur me incidentin që ndodhi mes tyre dhe zbuluan se motivi që i shtyu të futen në sherr është xhelozia.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj burrit të dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor, si dhe është iniciuar rasti për veprën penale “Dhuna në familje”.