Vuçiq del i dëshpëruar nga takimi me Kurtin, s’ka marrëveshje
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e tagave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksadandër Vuçiq ka thënë se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e tagave, shkruan REL.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë [evropian], Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha presidenti serb ndërsa paralajmëroi se këtë javë do t’i drejtohet publikut serb.
Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kurti para takimit trepalësh, fillimisht është pritur nga Lajçak dhe më pas nga Borrell.
Pas takimit me Kurtin, Borrell pastaj është takuar me presidentin serb, Vuçiq.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“T’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.
Ky takim ndodh pikërisht në ditën kur ishte paraparë të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale.
Sipas një komunikate për media nga BE-ja, thuhet se fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.