Vrasje në tentativë në Prishtinë, policia jep detaje
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në orët e vonshme të mbrëmjes në rrugën “Xhavit Ahmeti”, e njohur ndryshe si “Bledi”, në Prishtinë.
Sot policia ka njoftuar se aty ka ndodhur një vrasje në tentativë rreth orës 22:54.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se një i panjohur ia ka goditur me armë xhamin e veturës një personi dhe derisa është larguar ka shtënë edhe me armë në drejtim të tij.
“Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se një i dyshuar i panjohur me armë ka goditur xhamin e veturës së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime dhe gjatë largimit i dyshuari edhe ka shtënë me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar një fishek dhe një gëzhojë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.