Vrasje në tentativë në Podujevë: Theret në gjoks një 47-vjeçar, dëgjohen edhe të shtëna

Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike.

E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe armë, mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Bajqinë të Podujevës, ku tre persona janë përfshirë në një konflikt fizik dhe si pasojë ka mbetur i therur një 47-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se ai është dërguar atje me plagë në gjoks, pasi dyshohet se ishte goditur me mjet të mprehtë.

Pas dhënies së ndihmës mjekësore, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë, mirëpo po vazhdon trajtimin e tij nën përkujdesjen e mjekëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, pasi kanë marrë informacione se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Aty janë gjetur dhe sekuestruar një armë me municion, një gëzhojë dhe një tërfurk, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes mes të dyshuarve.

Të dyshuarit janë arrestuar, përfshirë edhe të plagosurin, i cili ndodhet në QKUK nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Motivet që çuan deri te kjo ngjarje janë ende të panjohura, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’ dhe njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje. Veprimet tjera hetimore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  220 copë koshere bletësh dëmtohen në Partesh të Gjilanit, policia nis hetimet