Vrasje e dyfishtë në Velipojë, plagoset edhe një kalimtar i rastit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur natën e së hënës Velipojën.

Dy vëllezër dyshohen se kanë privuar nga jeta dy të rinj, shkak i një konflikti rreth tre jashvësh, njofton Klankosova.tv.

Gazetarja nga Shqipëria, Emi Kalaja ka sjell detaje shtesë në një lidhje direkte për Edicionin Special.

Ajo thotë se edhe një kalimtar i rastit është plagosur, por i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

“Jam në vendin ku ka ndodhur konflikti mes disa shtetasve, dhe fatkeqësisht me një bilanc tragjik prej dy viktimave. Dy të rinjt, Astrit Hoxha dhe Ersild Ishmi kanë mbetur viktima, ndërkohë policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim atentatorët e kësaj ngjarje, pikërisht dy vëllezërit, Eduard dhe Gëzim Frroku”, tha Kalaja.

“Ngjarja me sa duket ka një prapavijë, një konflikt që ka ekzistuar rreth tre javë më parë, pasi këta persona janë konfliktuar në ambientin e një lokali, ndërkohë që pjesëmarrës i këtij konflikti ka qenë edhe kuzhinieri, por edhe pronaret e lokalit në Velipojë”.

“Gjakrat nuk ishin ftohur deri ditën e sotme, ku fillimisht janë përplasur në mënyrë fizike, dhe më pas është përshkallëzuar situata deri në përdorimin e armëve”.

“Burime nga policia bëjnë me dije se ka edhe një person të tretë të plagosur, person i cili nuk ka pasur lidhje me ngjarjen, ai është kamarieri i një lokali këtu pranë, i cili ka qenë kalimtar i rastit, por është jashtë rrezikut për jetën”.

Po ashtu, rasti tragjik raportohet të ketë ndodhur afër zonës turistike.

“Ngjarja ka ndodhur afër bregdetit, në rrugën kryesore në Velipojë. Ngjarje të këtij lloji, normalisht që frikësojnë vizitorët, por shpresojmë që të mos ketë ndikim”, deklaroi gazetarja.

Lexo edhe:  Rrebeshe shiu e bubullima, parashikimi i motit për sot