Vrasja me 14 plumba në Gjilan, dëshmitari rrëfen se çka kishte parë ditën kritike

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, dëshmitari Emrush Osmani ka thënë se ditën kritike kishte parë dy persona duke vrapuar dhe kishte dëgjuar krisma.

Sipas procesverbalit të kësaj seance, këtë deklarim dëshmitari e dha në gjykimin ndaj Lirim Jakupit dhe Afrim Ismajloviq të cilët akuzohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje, me 14 plumba e kanë privuar nga jeta B.V, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, Faton Osmani ngarkohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Në procesverbal thuhet se dëshmitari Osmani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit te shtetit Shefik Mehmeti ka deklaruar se atë ditë kishte qenë në lokalin e tij, ku kishte parë dy persona duke vrapuar dhe më pas kishte dëgjuar krisma.

“Unë ditën kritike kam qenë në lokalin tim që është mbrapa Stacionit të Autobusëve në kafiterin “Arbis”, kam qenë duke pirë, aty kanë qenë duke kaluar dy persona me kapela shapka, ka qenë errësirë, Këta persona i kam parë prapa stacionit të autobusëve në drejtim të zjarrfikësve”, citohet të ketë thënë ai.

Sipas tij, këta dy persona janë futur në një veturë, të cilën ai ka thënë se nuk i kujtohej se e cilit lloj kishte qenë.

“Herën e dytë kur janë kthy prapa stacioneve të autobusëve, kur i kanë kaluar lokalet e vogla këta dy persona kanë hypur në një veturë, por nuk e di çfarë ngjyre ka qenë vetura dhe as tipin e veturës sepse nuk ka pas drita të mjaftueshme dhe pozita ku kam qenë unë nuk është duk vetura”, citohet të ketë thënë Osmani.

I pyetur nga prokurori Mehmeti, se a i ngjason dikush nga publiku personave të cilët i kishte parë, dëshmitari tha se nuk e njeh asnjërin nga ata.

Në anën tjetër, sipas procesverbalit duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Jakupi, avokat Ilir Shaqiri, dëshmitari ka thënë se të akuzuarin Jakupi e njeh dhe asnjëri nga ata dy persona nuk i kanë ngjasuar atij.

“Unë Lirim Jakupin e njoh prej luftës, e njoh Lirimin si fytyrë, mu nuk më ka ngjasu asnjëri si Lirimi”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Vdes ish-presidenti i Serbisë, akuzohej për krime lufte në Kosovë

Ndërkaq, lidhur me të akuzuarin Ismajloviq ai ka thënë se nuk e njeh të njëjtin.

Në fund dëshmitari ka thënë se nuk ka parë se kush ka qenë duke e vozitur veturën në të cilën ishin futur dy personat të cilët i kishte parë.

Ndryshe, sipas procesverbalit, në shqyrtimin e sotëm gjyqësor nuk ishin prezent e dëmtuara Ismete Veseli dhe dëshmitarët Adelina Bllcaku, Gëzim Bajrami, Irfan Veseli, Sabit Veseli, Gent Selimi dhe Astrit Shabani.

Lidhur me mungesën e të dëmtuares Ismete Veseli, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Maliqi, ka thënë se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Për dëshmitarët Gëzim Bajrami dhe Irfan Veseli, gjykatësi Maliqi ka thënë se të njëjtit gjenden jashtë vendit. Ndërsa, Sabit Veseli gjendet në burgun e Serbisë.

Gjykatësi Maliqi ka thënë se për dëshmitarët Gent Selimi dhe Astrit Shabani, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo Policia e Kosovës nuk ka mundur t’i siguroj të njëjtit.

Lidhur me mungesën e tyre, prokurori Mehmeti ka deklaruar se janë dëshmitarë të rëndësishëm për tu dëgjuar, duke propozuar që ndaj të njëjtëve të përsëritet ftesa dhe nëse nuk mund të sigurohet prezenca e tyre për seancën e radhës do të kërkoj të lexohen deklaratat e tyre.

Pas kësaj, avokati Shaqiri ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen policët hetues Xhylshane Kastrati, Sinan Zeneli si dhe Asllan Sabedini dhe Genta Veseli.

Prokurori Mehmeti nuk ka kundërshtuar dëgjimin e zyrtarëve policor në cilësi të dëshmitarëve, mirëpo ka kundërshtuar dëgjimin e dy dëshmitarëve tjerë, me arsyetimin se mbrojtja ka për qëllim zvarritjen e procedurës.

Mirëpo, ky propozim është aprovuar nga trupi gjykues.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 23 maj 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.

Lexo edhe:  “Kom ma jau gjujtë bombën”: Gjakovari kërcënon fqinjin e tij, shkak prona

Aktakuza thotë se bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte tani i pandehuri i tretë Faton Osmani, ndalen tek marketi “Korqa” dhe nga automjeti dalin dy të pandehurit të armatosur me armë dhe nisen në drejtim të kafenesë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit B.V, i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur në karrige dhe po bisedonin, dhe me atë rast aty me shpejtësi arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca prej rreth një metër, i pari shtie i pandehuri me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur tetë fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër, me revole të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me gjashtë plumba, në pjesë vitale të trupit.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri nuk iu mbijeton plagëve dhe vdes menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse të pandehurit pas kryerjes së vrasjes largohen me shpejtësi, shkojnë te vetura që ishte duke i pritur dhe nga aty ikin në drejtim të lagjes “Arbëria”, ku i pandehuri Lirim Jakupi, ka shtëpinë e vet.

Me këtë, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, në datë, kohë dhe vend ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të pandehurit Jakupi dhe Ismajloviq ngarkohen se kanë siguruar dhe mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar dy armë zjarri- pistoleta, njëra e kalibrit 9 mm, dhe tjetra e kalibrit 7.65 mm, me të cilat në bashkëveprim kane kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, të tani të ndjerit B.V.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1, të KPRK-së.

Lexo edhe:  Dy vëllezërit e arratisur dyshohet se tentuan ta vrasin policin në Veri, detaje të reja nga incidenti me armë

Kurse sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri Faton Osmani akuzohet se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42, në kafenenë “Cafe Bar Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan pas një përgatitje paraprake, me vetëdije të plotë dhe dashje ka ndihmuar të pandehurit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, në kryerjen e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit B.V.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Osmani me automjetin e vet te markës “Audi A3”, para aktit të vrasjes, si drejtues i automjetit dhe me dy të pandehurit Lirimin dhe Afrimin si pasagjerë, me automjet bëjnë xhiro në rrugën e parkut të qytetit, aty në kafenenë “Premium” e vërejnë tani të ndierin B.V dhe të njëjtit pa u ndalur, vazhdojnë rrugën deri te rrethrrotullimi përballë Teatrit të qytetit, lëvizin në rrugën në drejtim të Ferizajt, te rrethi përballë Spitalit Regjional, kthehen në drejtim të lagjes së “Kamnikut”, të rrugëkryqi kthehen në të majtë në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe në afërsi të marketit “Korqa”, aty e ndal automjetin.

Sipas aktakuzës, nga automjeti dalin dy të pandehurit, i pari Lirimi e pas tij edhe Afrimi, të cilët nisen në këmbë dhe shkojnë te kafeneja “Premium”, aty në bashkëveprim e privojnë nga jeta tani të ndjerin B.V, dhe pas kësaj ikin në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe shkojnë e hipin në automjet ku ishte duke i pritur i pandehuri Faton Osmani, i cili e kthen automjetin në drejtim të kundërt nga kishte ardhur, dhe te udhëkryqi në lagjen e Kamnikut, kthen në të majtë vazhdon rrugën dhe kyçet ne rrugën e Zabelit, dhe nga aty lëvizë në drejtim të lagjes “Arbëria”, aty të pandehurit Lirimi dhe Fatoni, kanë shtëpitë e tyre.

Në këtë mënyrë, aktakuza thotë se i pandehuri me veprimet e veta ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale para dhe pas kryerjes së veprës penale të vrasjes.

Me këtë, Faton Osmani akuzohet se kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 nënpar. 1.5 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.