Vrasja e Enver Bajraktarit dyshohet se ndodhi për çështje pronësore
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.
Gazeta Sinjali merr vesh ekskluzivisht se i arrestuar është Top Kolshi, nga fshati Baicë.
Ky i fundit e ka pranuar se e ka vrarë Enver Bajraktarin në Baicë të Lipjanit, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
T.K., sipas njoftimit, gjatë dhënies së deklaratës ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale.
Gazeta Sinjali merr vesh se vrasja në Lipjan ka ndodh për motive pasurore, dyshohet se viktima dhe i dyshuari kanë pasur konteste pronësore.
Ai është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat ligjore.
I dyshuari u arrestua të martën në mëngjes.
Policia pati raportuar se më 4 gusht ka gjetur një trup të pajetë të groposur në një arë të këtij fshati. Më vonë u bë e ditur se viktima ishte Enver Bajraktari.