Vrasësit e 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahut mund të dënohen maksimalisht 10 vite burgim

Sot në Gjykatën Themelorë në Prishtinë është mbajtuar seanca për vrasjen e 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu ndaj dy të dyshuarve. Ndonëse seanca ishte e mbyllur për publikun, pak detaje i ka dhënë avokati i familjes së të ndjerit, Tomë Gashi.

Gashi konfirmoi se dy të miturit mund të dënohen maksimalisht 10 vite burgim, teksa kërkoi të ndryshohet pesha e dënimit.

“Kur kemi të bëjmë me të mitur, dënimi maksimal që mund t’i shqiptohet dikujt është 10 vite. Duke pas parasysh zhvillimin e të miturve, dënimet duhet të jenë më të ashpra, ka edhe raste që fëmijët janë të shtytur për të kryer këso vepra të rënda penale”, tha ai në Frontal të T7.

Avokati shtoi se gjatë muajit prill pritet që Themelorja të dal me një vendim rreth rastit.

Tutje ai ka shprehur habinë se si organet e drejtësisë nuk janë marrë me njërin prej të miturve, i akuzuar për vrasjen e Lulzimit, meqë edhe më parë akuzohej për një sërë veprash penale.

“Së paku njëri prej tyre ka pasur me dhjetëra vepra të rënda penale, gjatë fazës së hetimit që i ka kryer prokurori i rastit, unë kam kërkuar që të hetohet zinxhiri i atyre që kanë mundësuar që ky i mitur të jetë në liri e jo në burg. Ka pasur incizime për një rast tjetër tejet të rëndë, por që edhe ky rast ishte lënë në hije”, ka deklaruar Gashi.

Kujtojmë që 18 vjeçari nga Podujeva u rrah brutalisht nga dy të rinj pas një zënke te berberi. Ai nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq pas pak ditësh në spital.

Lexo edhe:  E rëndë: Ky është burri nga Prizreni që u gjet i vdekur në mes të rrugës nga familjarët e tij