Vodhi në Viva Fresh, Rossmann e qendra tregtare – arrestohet 16-vjeçari në Podujevë, dëmi rreth 6500 euro

Marketet në vendin tonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i vjedhjeve dhe grabitjeve, ku hajnat arrijnë të kapin para apo gjësende ushqimore. Raste të shumta kanë ndodhur në pikat e rrjetit të Viva Fresh në plot qytete. Përveç humbjeve, plaçkitjet po shkaktojnë pasiguri si për punëtorët ashtu edhe për klientët, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë vjedhjeje është zbuluar në Podujevë, ku një i mitur është identifikuar si pjesëmarrës në disa raste të vjedhjeve me vlerë të konsiderueshme.

Sipas burimeve të Sinjalit, më 9 shtator 2025, Policia ka ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor të dyshuarin P.K. rreth 16-vjeçar, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë në vjedhje së bashku me persona nën moshën 14 vjeç.

Hetimet kanë zbuluar se vjedhjet ishin kryer në disa pika tregtare, përfshirë Viva Fresh Store, Rossmann dhe qendrën tregtare ETC, ndërsa vlera e përgjithshme e parave të vjedhura arrin në 6,404 euro.

I dyshuari është intervistuar në prani të zyrtarit të QPS-së dhe avokatit mbrojtës, ku ka pranuar pjesëmarrjen në kryerjen e vjedhjeve.

Me urdhër të Prokurores për të mitur, i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Lexo edhe:  Ferdonije Qerkezi: Unë besoj që do të vjen dita që Serbia do ta merr dënimin e merituar sepse 'krimi kurrë nuk plaket'