Vjedhje misterioze në banesë të një punonjëse të huaj në Prishtinë – dyshohet se hajni përdori çelës, policia bastis objektin
Një prani e shtuar policore dhe e forenzikës është vërejtur pasditen e së hënës në një kompleks banesor në rrugën “Radovan Zagović” në Prishtinë, ku sipas burimeve të Sinjalit nga objekti, është raportuar një vjedhje në rrethana të dyshimta.
Banorët që kanë parë policinë duke hyrë në katin e pestë të ndërtesës bëjnë të ditur se vjedhja ka ndodhur në banesën e një gruaje shtetase të huaj me inicialet A.W., që sipas tyre është punonjëse e një misioni ndërkombëtar në Kosovë.
Sipas burimeve brenda objektit, është pronari i banesës ai që ka përmendur se nga ajo banesë janë marrë para me vlerë të konsiderueshme, dokumente personale dhe udhëtimi, kartela bankare dhe stoli.
Me të marrë vesh rastin, Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, e shoqëruar nga forenzika, ndërsa vendi është fotografuar dhe siguruar për hetime të mëtejme, sipas burimeve.
Nuk ka pasur shenja të hyrjes me forcë, çka ka ngritur dyshime serioze se hajni ka përdorur çelës për të hyrë në banesë, dhe se vjedhja mund të jetë kryer nga dikush që kishte qasje të brendshme, rezulton të ketë thënë policia.