Vjedhja grabitqare në Viva Fresh në Prishtinë, hajni sulmon punëtoren që tentoi ta ndalojë dhe ikë

Marketet në vendin tonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i vjedhjeve dhe grabitjeve, ku hajnat arrijnë të kapin para apo gjësende ushqimore. Ndër rastet më të shpeshta kanë ndodhur në pikat e rrjetit të Viva Fresh në shumicën e qyteteve. Përveç humbjeve, plaçkitjet po shkaktojnë pasiguri si për punëtorët ashtu edhe për klientët, raporton Gazeta Sinjali.

Një ndër këto raste ka ndodhur edhe mbrëmë, në pikën e Viva Fresh në rrugën “Imzot Nikeprela” në Prishtinë, ku një person ka arritur të kryejë vjedhje grabitqare dhe të shpëtonte nga prangat e Policisë.

Sinjali mëson se i dyshuari kishte “avulluar” produkte të kafesë, që kapin vlerën e rreth 80 eurove dhe fillimisht ishte zbuluar nga një punëtore e marketit. E njëjta ka tentuar që ta ndalojë të dyshuarin, por e ka pësuar pasi hajni e ka sulmuar.

I dyshuari është larguar me shpejtësi nga marketi, ndërsa viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar gjithë rastin që kishte ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa janë mbledhur informacione për personin e dyshuar, që dyshohet të jetë emër i njohur për organet e rendit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje grabitqare” dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit.

Lexo edhe:  I riu nga Lipjani ekspozon armën ilegale, 30-vjeçari e denoncon në Polici