Vetura godet këmbësoren në Prizren, shoferi ikë nga vendi i ngjarjes

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.

Nuk janë të rralla as rastet kur veturat godasin këmbësorët, qoftë në vendkalime apo edhe në pjesë të tjera. Kështu ka ndodhur të hënën, në rrugën “Avdi Shala” në Prizren, ku një veturë e ka goditur një këmbësore, e cila ka pësuar lëndime të rënda.

Kështu ka bërë të ditur një sinjalizues i Sinjalit, i cili ka thënë se shoferi ka ikur nga vendi i ngjarjes, posa e ka përplasur këmbësoren, që po priste për ta kaluar rrugën.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, teksa e lënduara është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor.

Lexo edhe:  Qerkini – Qeverisë: Ne po i kërkojmë njerëzit tanë, ju po bëni lojëra me të pagjeturit