Vetura godet fëmijën në rrugën Prishtinë – Podujevë, 10-vjeçari dërgohet në QKUK – arrestohet shoferi

Një numër i madh i aksidenteve që ndodhin çdo ditë në vendin tonë shkaktohen si pasojë e mosrespektimit të rregullave në trafik.

Në shumë raste viktima janë edhe këmbësorët, të cilëve shpesh herë u rrezikohet edhe jeta, si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një aksident i tillë ka ndodhur edhe të dielën në rrugën Prishtinë – Podujevë, ku një automjet ka goditur një këmbësor i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Për shkak të lëndimeve të marra, fëmija 10-vjeçar është dërguar për tretman mjekësor në QKUK si pasojë e lëndimeve serioze.

Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur shoferi i veturës B.A., 21-vjeçar nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke lëvizur në atë pjesë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet policore, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Policia me detaje pas sulmeve në veri: Nëntë gazetarë janë sulmuar brutalisht nga grupe kriminale