Vetura e Policisë godet një vajzë në Gjilan, e mitura dërgohet me urgjencë në spital

Aksidentet në trafik janë një ndër dukuritë më shqetësuese në vendin tonë. Ato zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve që rrezikojnë të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë. Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët.

Një aksident trafiku ka ndodhur edhe sot rreth orës 14:00 në Gjilan, ku është përfshirë një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, e cila ka goditur një vajzë të mitur.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se viktima është dërguar me urgjencë në spital.

“Me datën 08.08.2023 rreth orës 14:00 Polica e Kosovës në Gjilan është informuar se ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Hetues policor nga njësiti rajonal i komunikacionit rrugor me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se deri te aksidenti ka ardhur kur një veture zyrtare e Policisë së Kosovës dyshohet se ka aksidentuar një të mitur me trotinet. Viktima me urgjencë është dërguar në Spitalin rajonal në Gjilan dhe sipas mjekut është jashtë rrezikut për jetë”, tha Hashani.

Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Prizren, vdes një person - arrestohet shoferi