Vetura 100 mijë euroshe që u “zhduk” në Zvicër, gjendet në Kosovë
Policia e Kosovës edhe njëherë tjetër ka treguar profesionalizmin e saj.
Në kohë rekorde ka arritur të gjejë një veturë vlera e së cilës raportohet të jetë afër 100 mijë euro.
Të njëjtën veturë e kishin kërkuar autoritetet zvicerane, ndërsa kanë kontaktuar ato relevante në Kosovë, pasi gëzonin informacionin se e njëjta veturë mund të ishte këtu.
Policia përmes një komunikate bëri të ditur se reagoi shpejt dhe gjeti veturën përkatëse, për ta nisur atë tanimë në procedurat gjegjëse.
Më poshtë edhe njoftimi i plotë:
Bashkëpunimi profesional në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Zvicrës rezulton me konfiskimin e një veture me vlerë të përafërt mbi 100 mijë €uro
Prishtinë, 11 tetor 2023
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion nga autoritetet e Policisë Federale të Zvicrës në lidhje me dyshimin se një veturë e llojit Mercedes e cila ishte në kërkim nga autoritetet zvicerane, mund të jetë në territorin e Republikës së Kosovës.
Përmes bashkëpunimit profesional me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), po ashtu edhe angazhimit të jashtëzakonshëm dhe veprimit të shpejtë e profesional, të zyrtarëve policorë nga DRP Mitrovicë Veri, më datë 10.10.2023 është arritur të gjendet dhe konfiskohet vetura e llojit Mercedes (vlera e përafërt mbi 100 000 €) e cila ishte në kërkim në Zvicër.
Tashmë rasti është duke u trajtuar konform procedurave ligjore nga njësitë përkatëse policore.
Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si dhe ky bashkëpunim do të vazhdoj në frymën e besimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen.