‘Veterrniku i vdekjeve’: Aksidentet me fatalitet nuk po i vedijesojnë qytetarët – vazhdojnë të kalojnë rrugën duke rrezikuar jetën

Rruga e Veterrnikut në Prishtinë, gjithherë ka qenë e rrezikshme për këmbësorët. Por, me ndërtimin e qendrës tregtare Albi Mall, rreziku për aksidente me vdekje e me të lënduar është rritur dukshëm.

Kjo po ndodhë për shkak të mungësës së mbikalimeve. Qytetarët detyrohen që të kalojnë dy korsi të rrugës kryesore për të dalë tek pjesa tjetër.

Rasti i fundit ndodhi të premten, ku një këmbësor u godit për vdekje gjatë mesditës, pikërisht në këtë pjesë të rrugës.

Por përkundër kësaj, qytetarët vazhdojnë ta rrezikojnë jetën e tyre.

Disa video që janë publikuar tek faqja “Vrojtuesit e Lagjes”, shihen sërish këmbësorët teksa duke vrapuar e kalojnë rrugën.

Lidhur me këtë, dhjetra qytetarë kanë reaguar në rrjetet sociale. Ata po kërkojnë që të ndërmerren masa për ta rrëgulluar këtë problem.

Një pjesë tjetër e tyre, hedhin kritika ndaj ngasësve të veturave, për të cilët thonë se e tejkalojnë shpejtësinë, duke i thyer rregullat në komunikacion.

Ndryshe, në maj të vitit 2020, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, pati nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e atëhershëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Objekt i këtij memorandumi ishte realizimi i tri projekteve infrastrukturore, mes tyre edhe ai për ndërtimin e mbikalimit për këmbësorë në lagjen Veternik.

Madje, për realizimin e projektit u pat hapur edhe një tender.

Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik thuhej se ky ndërtim do të kushtojë mbi 1 milion euro.

Shuma e planifikuar për këtë kontratë ishte saktësisht 1 milion e 200 mijë euro.

Ndërsa, financuese e këtij projekti dhe dy të tjerëve të nënshkruar mes Ahmetit dhe Abdixhikut, do të ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit me 1 milion e 500 mijë euro.

Lexo edhe:  Vjedhje e rëndë në këtë fshat të Drenicës – policia identifikon dhe arreston dy hajnat e dyshuar

Megjithatë, ndonëse kanë kaluar gati dy vjet, punimet për ndërtimin e këtij mbikalimi ende nuk kanë nisur.

Tani, mbetet të shihet, nëse komuna do të ndërmarr masa për ta zgjidhur këtë problem.