Veteranët e UÇK-së urojnë ShBA-në: Në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot festojnë 249-vjetorin e pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar.

Me këtë rast, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka uruar ShBA-në për 4 Korrikun.

“Në këtë ditë të shënuar për miqtë tanë të përhershëm, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpreh urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e përjetshme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Populli amerikan ka qenë gjithmonë përkrah nesh në momentet më të rënda historike. Mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe shtetësisë, dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën”, thotë OVL-UÇK, mes tjerash.

Kjo organizatë, 4 Korrikun e quan ditë të veçantë, teksa tha se “u shprehim mirënjohje të veçantë edhe ushtarëve amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të përditshëm për paqe dhe siguri”.

“Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë, dhe në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë, paqes apo miqësisë së sinqertë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah ShBA-së”.

“Zoti e bekoftë Amerikën! Gëzuar 4 Korrikun”, përfundoi urimi i OVL-UÇK-së.

Lexo edhe:  Lajmi i fundit: Kamioni godet veturën e Policisë së Kosovës