Vetaksident tragjik në Treboviq të Pejës – një person humb jetën, dy të tjerë dërgohen në QKUK
Orët e para të së mërkurës është shënuar me një ngjarje të rëndë në fshatin Treboviq të Pejës, ku një vetaksident ka rezultuar me fatalitet.
Zëdhënësi për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Sinjalin se në aksident janë përfshirë tre persona, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
“Fillimisht tre persona janë lënduar si pasojë e këtij vetaksidenti që ka ndodhur rreth orës 00:02, në fshatin Treboviq, e më pas njëri prej tyre nuk ka arritur t’ju bëjë ballë lëndimeve dhe ka vdekur. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, deklaroi Gashi.
Dy të lënduarit e tjerë janë dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim emergjent, ndërsa më pas janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për kujdes të mëtejmë.
“Derisa dy të lënduarit e tjerë fillimisht janë trajtuar në Emergjencën e spitalit rajonal dhe më pas janë dërguar për në QKUK. Dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur pasi vetura ka humbur kontrollin dhe e ka goditur një muri në anën tjetër të rrugës”, theksoi ai.
Rrethanat që çuan në këtë aksident tragjik janë ende duke u hetuar nga njësiti i trafikut rajonal.