Vetaksident i rëndë në Gjakovë, motoçiklisti 21-vjeçar dërgohet me urgjencë në spital
Mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja me kushtet atmosferike e shpeshherë edhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar janë disa nga rregullat që vozitësit jo rrallë herë i shkelin. E si pasojë e kësaj, aksidentet dhe vetaksidentet janë të pashmangshme.
Edhe pasditen e sotme ka ndodhur një vetaksident në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, ku për pasojë është lënduar shoferi i motoçikletës 21 vjeçar.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Rreth orës 14:50 është raportuar një aksident trafiku në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë. Policia ju ka përgjigjur rastit, ku ngasësi i një motoçiklete kishte humbur kontrollin mbi motoçikletën dhe ishte vetaksidentuar. Për pasojë përveç dëmeve materiale ngasësi (mashkull i lindur në vitin 2002) ka pësuar lëndime të rënda trupore”, ka thënë ai.
Kujtojmë se aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku çdo dirë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës, duke rrezikuar jetën e shoferëve dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.