Vëllai i ministres Haxhiu shkakton aksident, ik nga vendi i ngjarjes

Kastriot Haxhiu, vëllai i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të premten në Klinë ka shkaktuar një aksident trafiku me veturën e Telekomit të Kosovës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Derisa po voziste veturën e ndërmarrjes në dalje të Klinës, ai e ka goditur një kamionetë të një kompanie private që merret me mirëmbajtjen e rrugëve.

Kastriot Haxhiu është punonjës i Telekomit të Kosovës dhe të premten pasdite ndodhej në detyrë.

Pas aksidentit, Haxhiu ka ikur nga vendi i ngjarjes sepse ka bërë fjalë me shoferin e kamionetës dhe shoqëruesit e tij.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Stacionit Rajonal të Pejës, Fadil Gashi tha sot se i dyshuari, vozitës i veturës së Telekomit të Kosovës, “ishte larguar nga vendi i ngjarjes”.

“Rreth orës 18:00 policia është njoftuar për një aksident në rrugën ‘Leonard Palucaj’ në Klinë”, tha zëdhënësi.

Sipas policisë, Kastriot Haxhiu është i dyshuari për shkaktim të aksidentit.

“Policia ka dal në vend të ngjarjes dhe nga vendi i ngjarjes ishte larguar i dyshuari, vozitësi i automjetit i cili dyshohej se ka shkaktuar aksident. I njëjti, në atë kohë ishte i panjohur për Policinë, por Policia më vonë, e ka identifikuar personin i cili dyshohej se ka shkaktuar aksident”, ka thënë zëdhënësi Fadil Gashi në një deklarim për Paparacin. “I njëjti sot, në orët e pasdites së vonshme, është paraqitur për t’u intervistuar”.

Vetura e Telekomit të Kosovës, të cilën e voziste Kastriot Haxhiu, në ditën e aksidentit

Nga vendi i ngjarjes në Klinë, Kastriot Haxhiu është nisur për në Prishtinë ku ka shkuar direkt për të dhënë deklaratë në Stacionin numër 4 të policisë në Prishtinë. Shkaktari i aksidentit, vëllai i ministres, nuk ka shkuar në stacionin e Klinës, por ka bërë rrugë rreth 50 kilometra për të dhënë deklaratë në Prishtinë.

Lexo edhe:  E rëndë në Prizren: Gruaja 43-vjeçare tenton t’i jap fund jetës, konsumon sasi të madhe të medikamenteve

Në Prishtinë, ai ka thënë se ka hapur rast për kanosje ndaj shoferit të kamionetës dhe punonjësve të tjerë që e shoqëronin atë. Policia e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar hapjen e rastit për kanosje.

Ndërkohë në vendin e aksidentit në Klinë, policia ka dal pas largimit të Haxhiut dhe e ka marrë deklaratën e palës tjetër.

Siç merr vesh Paparaci, zyrtari policor e ka përgatitur raportin e aksidentit duke e marrë deklaratën e palës tjetër dhe përmes kamerave të sigurisë e ka identifikuar – në bazë të targave – automjetin e Telekomit. Pasi ka telefonuar me ndërmarrjen, policit i është konfirmuar se kush është vozitësi.

Sipas burimeve, zyrtari policor ka komunikuar pastaj me Kastriot Haxhiun që nuk ndodhej në vendin e ngjarjes dhe kanë lënë termin për të dhënë deklaratë në Stacionin e Policisë në Klinë të mërkurën, më 15 nëntor.

Por, meqë Paparaci e ka telefonuar të hënën vëllain e ministres, ai e ka thirrur policin i cili e ka hapur rastin dhe i ka komunikuar atij se është i gatshëm të japë deklaratë sot. Në këto momente, derisa ju po e lexoni këtë shkrim, Kastriot Haxhiu është duke shkuar për të dhënë deklaratë në stacionin policor në Klinë.

Në bisedën telefonike me Paparacin, Kastriot Haxhiu e ka mohuar të ketë ikur nga vendi i ngjarjes.

Ai i ka thënë Paparacit se nuk ka ikur nga vendi i ngjarjes por se policia është vonuar.

“Jam sqaruar me ata, me stacionin policor. Ata djemtë më kanë kërcënuar dhe nuk kam ik prej aksidentit por kam ik prej konfliktit, kam dhënë deklaratë në polici dhe gjithçka është në rregull. Po, po e kam kryer unë me atë policin që e ka rastin, gjatë javës e marr raportin. Dje e kam dhënë deklaratën. Fillimisht, e kam dhënë deklaratën në Prishtinë, por për aksidentin më duhet me shku në Klinë me dhanë deklaratën, ama për çka ka ndodh e kam dhënë në Prishtinë. Deklaratën ma kanë caktuar të mërkurën paradite”, tha Haxhiu të hënën pasdite.

Lexo edhe:  Ky është 22-vjeçari që dyshohet se shtiu me armë zjarri në Podujevë

I pyetur nëse ka dhënë deklaratë në vendin e ngjarjes, ai tha se e ka pritur policinë për “një orë”.

“Jo [s’kam qenë në vend-ngjarje]. Unë kam prit aty një orë, s’ka ardhë policia. Ata djemtë më kanë kërcënu. Më kanë lyp pare për me ua pagu dëmin. E kemi pasë një ngatrrësë, unë aty jam larguar nga konflikti”, ka thënë ai.

Mehmet Loshi, bashkë-pronar i kompanisë Granit Sh.P.K., automjeti i së cilës është dëmtuar në aksident, e ka konfirmuar se punonjësit e tij janë përfshirë në një aksident trafiku me një veturë të Telekomit të shtunën.

Ai ka thënë për Paparacin se punëtorët e tij i kanë thënë se kanë bërë fjalë me Kastriot Haxhiun. Duke iu referuar fjalëve të punonjësve të tij, ai ka thënë ata se “janë shty pak” me Haxhiun dhe se ai ka qenë i pasjellshëm.

“Kanë bërë fjalë ata punëtorët me të, sigurisht, sepse ky menaxheri s’ka qenë aty dhe qashtu janë tutë ata dhe ku ta di… janë shty aty pak me të. Më kanë thanë se ai ka qenë i pasjellshëm”, ka thënë Loshi.

Por, Loshi e ka mohuar pretendimin e Haxhiut se punonjësit e tij i kanë kërkuar para.

“Jo, jo nuk besoj që i kanë kërkuar para. Këtë nuk e di pasha Zotin”, ka thënë Loshi, i pyetur rreth ngjarjes.