Veda 3 dhe Lab Oil i fitojnë pompat e benzinës në veri të Kosovës, do të paguajnë qira

Veda 3 dhe Lab Oil janë qiramarrës të pompave të benzinës në veri të Kosovës

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë vendim për lëshimin me qira të pesë pompave të benzinës në veri të Kosovës.

Ofertuesit që janë shpallur fitues të konkursit janë “Veda 3 NTP” dhe “Lab oil SH.PK”, dy pompa private të derivateve.

“Veda 3 NTP” është qiramarrësi fitues për njërën nga dy pompat e karburanteve në Zubin Potok dhe për pompat e karburanteve në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

“Lab Oil SH.PK” është qiramarrësi fitues për një pompë të karburanteve në Zubin Potok dhe për një pompë karburanti në Zveçan.

Në muajin korrik të këtij viti, pesë pompa të karburanteve janë mbyllur në veri të Kosovës për shkak të mungesës së licencës biznesore.

Agjencia e Privatizimit, e shoqëruar nga policia, në një aksion të sinkronizuar i mbylli fillimisht tri pompa më 16 korrik, e më pas dy të tjera më 22 korrik në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Menjëherë pas mbylljes, më 26 korrik, Agjencia Kosovare e Privatizimit shpalli konkursin dhënien me qira të pesë pompave të benzinës.

Sipas kushteve të konkursit, dorëzimi i ofertave u bë në datën 9 gusht, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Mirëpo, në ditën kur Agjencia Kosovare e Privatizimit shpalli tenderin për dhënien me qira të pesë pompave të benzinës në veri të Kosovës, ish-pompës NIS Petrol në pjesën veriore të Mitrovicës, u vendos emri i kompanisë që merret me derivatet e naftës – Exfis.

Emri i kompanisë u mbulua me një fletë të bardhë jo shumë kohë më pas.

Siç shpjegoi në atë kohë agjencia e privatizimit, Exfis ka paraqitur kërkesë për marrjen me qira të disa pikave të shitjes, por Exfis e kishte “keqkuptuar” procesin dhe kishte filluar ta brendojë pompën në Mitrovicën e Veriut.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit lër sot dhe ditëve në vazhdim

Ata kanë thënë se bëhej fjalë për një gabim dhe se do ta hetonin rastin në detaje.