Vdes polici i Kosovës gjatë ndërrimit të punës në Jarinje
Polici Rexhep Sejdiu ka vdekur sot teksa shërbente në pikën kufitare në Jarinje.
“Jepi zë” merr vesh se Sejdiu ka ndërruar jetë në vendin e punës në Jarinje, gjatë kohës që ishte në ndërrimin e natës.
Rastin e kanë konfirmuar familjarët për “Jepi zë”, duke treguar se varrimi do të bëhet nesër.
Gazeta ka kontaktuar edhe zëvendësdrejtorin e Policisë në Veri, Veton Elshanin, i cili ka konfirmuar rastin.
Ai thotë se polici Sejdiu ishte duke shërbyer në Jarinje dhe gjatë ndërrimit të natës ka ndërruar jetë. Sipas tij, kolegët e kishin gjetur pa shenja jete disa orë pasi ishte shtrirë për të pushuar.
“Rreth orës 07:20 është gjetur i vdekur zyrtari policor, gjatë ndërrimit në Jarinje. Kolegët e kanë gjetur të vdekur, disa orë pasi ishte shtrirë për të pushuar”, tha Elshani për “Jepi zë”.
Mësohet se trupi i pajetë është dërguar për obduksion dhe varrimi pritet të bëhet nesër.
Nga ç’është mësuar nga familjarët, vdekja ka qenë natyrore.