Vdes ish-presidenti i Serbisë, akuzohej për krime lufte në Kosovë

Ish-presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviq, njëherësh edhe bashkëpunëtor i afërt i “Kasapit të Ballkanit”, ka ndërruar jetë sot.

Ai vdiq në moshën 81-vjeçare, sipas Danasit serb, përcjell Gazeta Insajderi.

“Përshëndetjet e fundit për Milan Milutinoviq, ish-president i Republikës së Serbisë dhe ish-nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë”, ka shkruar kryediplomati serb Ivica Daçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Milutinoviq ishte në mesin e gjashtë zyrtarëve të lartë serbë, të akuzuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë.

Milutinoviq dhe të tjerët akuzoheshin për dëbimin e rreth 800.000 shqiptarëve, vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm, keqtrajtimet seksuale dhe dhunime masive si dhe plackitjen dhe shkatërrimin e vendbanimeve shqiptare dhe objekteve fetare.

Ai u lirua më 26 shkurt 2009 dhe u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat.

Lexo edhe:  Vjehrri 85-vjeçar nga Prizreni i vërsulet dhe ushtron dhunë ndaj nuses së djalit