“Vdekje Kurtajt – shqiptar mu**”, ky është i dyshuari për kanosjen e ish-pjesëtarit të FSK-së dhe xhaxhait të tij
Gazeta Sinjali raportoi sot për rastin e kërcënimit të ish-pjesëtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, i cili po dyshohet për plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë, në fillim të këtij viti. Kurtaj dhe xhaxhai i tij kanë marrë mesazhe kërcënuese dhe sipas informacioneve të para motivi dyshohet se lidhet me incidentin e plagosjes.
I dyshuari është i nacionalitetit serb dhe ndaj tij tashmë kanë nisur hetimet.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që po dyshohet lidhur me këtë rast është Dragan Petrovic, i cili po dyshohet për veprën penale “Kanosje”.
Siç mëson Sinjali, dy anëtarët e familjes Kurtaj kanë marrë mesazhet kërcënuese përmes rrjeteve sociale. Në adresë të Azem Kurtajt, i dyshuari kishte shkruar, duke iu drejtuar si “shqiptar mu**, ti ki me marrë plumbin”.
Ndërkaq xhaxhait të ish-pjesëtarit të FSK-së, i dyshuari i ka lënë një mesazh duke thënë “do ta mbrojmë Kosovën me çdo çmim sepse shqiptarët po dëshirojnë ta marrin”.
Të njëjtat burime thonë se ndër të tjera, i dyshuari ka shkruar “vdekje Kurtajt”.
Rasti është denoncuar menjëherë në Polici, me ç’rast janë deponuar dëshmi lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Kanosje” dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
Kujtojmë se lidhur me plagosjen e dy të rinjve serbët lokalë Azem Kurtaj kishte qendruar në paraburgim deri para disa javësh kur është liruar në arrest shtëpiak.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.