Vdekja e punëtorit 30-vjeçar: Ky është menaxheri për siguri në “Cima Construction” që u ndalua për 48 orë

Vdekja e punëtorit të kompanisë ndërtimore “Cima Construction” në Prizren, Shpejtim Gashit, ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore që çojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. 30-vjeçari, i cili ishte nga Suhareka vdiq si pasojë e plagëve të rënda që pësoi pasi u rrëzua nga një lartësi derisa ishte duke punuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se tre persona tashmë kanë përfunduar në Polici si të dyshuar, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Sinjali mëson se tre personat që u intervistuan si të dyshuar janë drejtori Haki Kabashaj, menaxheri për Siguri, Rrezart Sahiti, si dhe Safet Daka.

Të njëjtit janë intervistuar lidhur me rastin që tashmë është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës“, ndërsa ndaj të dyshuarit, Sahiti, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia, me ç’rast është konfirmuar ricilësimi i veprës dhe nisja e hetimeve për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka humbur jetën i riu suharekas.

“Rasti i raportuar “Hetim i vdekjes” është ri kualifikuar si më lart dhe lidhur me te janë intervistuar tre te dyshuar meshkuj kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa dy te dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.”, ka njoftuar Policia.

Lexo edhe:  Nihuni me llapjanen e jashtëzakonshme: Vozit traktor, pren dru dhe shet fishekzjarre