Vdekja e kosovarit në Valbonë, kërkim-shpëtimi i Kosovës thotë se Shqipëria nuk e ofroi helikopterin për gjetjen e tij

Mërgimtari me inicialet L.A. nga Podujeva të premten humbi jetën tragjikisht në Luginën e Valbonës në Shqipëri, në zonën e njohur si “Maja e Thatë”.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës e ka bërë me faj shtetin shqiptar, meqë pretendojnë se s’iu është ofruar helikopter.

“Me datën 26.07.2024 rreth orës 17:00 ShKShMK ka pranuar thirrje urgjente për ndihmë nga bjeshkatarët me shtetësi Kosovare, të cilët ishin duke e zhvilluar aktivitetin e tyre në “Majën e Thatë” në luginën e Valbonës”, thuhet fillimisht në reagimin e ShKSHMK-së.

“Udhëheqësi i ekipit ka arritur të afrohet te personi i aksidentuar dhe i ka dhënë ndihmën e parë, por që ka rezultuar pa sukses”, thotë ShKShMK.

“Ky operacion ka filluar me kordinim të plotë me institucionet e shtetit Shqiptar Policinë e shtetit dhe stacionin e ShKShMAL në Valbonë. Fillimisht është identifikuar natyra e aksidentit dhe lokacioni në bazë të koordinatave të dërguara nga vendaksidenti”, njofton ky shërbim.

ShKShMK shton se “pa humbur kohë është kërkuar nga institucionet mbështetje nga ajri me helikopter”, por që përgjigja sipas tyre “ka qenë negative për arsye teknike”.

“Shpëtuesit tanë së bashku me policë kujdestar dhe Ekipin e Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë nga Valbona janë nisur në drejtim të vendaksidentit. Duke e patur parasysh konfiguracionin e terrenit dhe mungesën e mbështetjes ajrore, evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës”, thuhet në njoftim.

“Kurse skuadra e dytë ka lëvizur në drejtim të viktimës duke e përgatitur evakuimin e tij, në mënyrë teknike deri te pozita ku pretendohej që do të ateronte helikopteri i premtuar”, thotë tutje ShKShMK-së.

Edhe pas “shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike”, vijon njoftimi, “nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit” dhe se “nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme”.

Lexo edhe:  Plagosje në Tërnavë të Podujevës

“E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mos qasja te viktima, shpëtuesit kanë arritur te viktime në kohë rekorde”, thotë ky shërbim, duke e hedhur poshtë deklarimin e Policisë së Shqipërisë për rastin.