Vdekja e gruas në Suharekë, arrestohet shoferi që ishte me të në veturë

Një grua ka vdekur mbrëmë në Suharekë, derisa Policia e ka cilësuar rastin si “Vrasje nga pakujdesia”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se dyshimet e para janë që pas një aksidenti, i dyshuari e ka shtyrë viktimën nga vetura dhe ajo ka vdekur.

Bytyqi tha se viktima nuk ka vdekur nga lëndimet në aksident, por dyshohet se është shtyrë nga një person.

“Është raportuar për një aksident trafiku, policia ka dalë ne vendin e ngjarjes ka qenë një viktimë femër e vitit të lindjes 1956. Pasi që është bërë rishikimi i provave është vërtetuar se viktima nuk ka vdekur nga lëndimet në aksident dhe nuk dihen shkaqet e vdekjes. Por sipas hetimeve të parë është arrestuar i dyshuari pasi dyshohet se pala e dyshimtë dyshohet se e ka shtyrë viktimën nga vetura dhe pastaj viktima ka vdekur. Viktima ka qenë pjesëmarrëse në aksident”, ka thënë ai për Insajderin.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin e lartcekur është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar mashkull kosovar, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Ministria ka përzgjedhur organizatën që e ka themeluar deputeti i VV-së për të shpërndarë pako ushqimore