Vdekja e dy të rinjve nga Vushtrria – Videoja që do të ndryshonte rrjedhën e hetimeve

Aksidentin tragjik në të cilin vdiqën dy të rinj, dy vjet më parë në Vushtrri, Prokuroria e Mitrovicës e cilësoi si vetaksident dhe e mbylli rastin.

Shuarja e hetimeve u bë pa u intervistuar asnjë person nga Prokuroria, pa siguruar asnjë pamje të ngjarjes, e pa ekzaminuar asnjë automjet tjetër, raporton Kiks Kosova.

Madje, ky institucion ia konfirmoi Kiksit se nuk e posedon as videon që e dokumenton momentin e aksidentit.

Në pamjet të cilat i posedon Kiksi shihen dy vetura, njëra në të cilën ndodheshin tashmë dy të vdekurit Shkëlqim e Malsor Pllana, dhe tjetra e cila drejtohej nga Leutrim Berisha.

Këto pamje do të ndryshonin rrjedhën e hetimeve për këtë rast.

Sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, kjo video dëshmon se aksidentit i parapriu një garë e planifikuar mes dy veturave.

Shkaktar i këtij aksidenti ai pohon se është shpejtësia e lartë e lëvizjes me të cilën po qarkullonte vetura në momentin e humbjes së kontrollit.

Eksperti thotë se shoferi i veturës tjetër është tërhequr nga gara në momentin e fundit dhe vetëm kur ia ka liruar shiritin veturës që po drejtohej nga tani i ndjeri, ky i fundit e ka humbur kontrollin.

Për t’u verifikuar nëse ka pasur një kontakt fizik mes dy automjeteve, Dedaj thotë se është dashur të bëhej ekzaminimi i dy veturave.

Edhe nëse vetura e Leutrim Berishës është riparuar, siç pretendon Bedri Pllana, eksperti thotë se me një ekzaminim do të zbulohej gjithçka.

Se ai që po garonte ishte Leutrimi, përveç videos ku shihet fytyra e tij, e konfirmojnë edhe pamjet e kapura nga kamera e Kiksit, në të cilat shihet e njëjta veturë e parkuar te biznesi i familjes Berisha.

Lexo edhe:  Vdes njëri nga ish profesorët me të njohur në Skenderaj