Vdekja e 18-vjeçarit në Kçiq të Mitrovicës, Policia nis hetimin
Një ngjarje tragjike ka tronditur Mitrovicën, pasi një person rreth 18-vjeç është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së dielës.
Ngjarja është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Sipas zëdhënësit Avni Zahiti për Jepi zë, rreth orës 18:40, është raportuar se një person mashkull, rreth 18-vjeçar, është sjellë pa shenja jete në spital. Njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
“Rasti është iniciuar dhe po hetohet si ‘Hetim mbi vdekjen’. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes,” tha Zahiti.
Dyshohet se i riu mund të ketë kryer vetëvrasje, megjithëse hetimet janë në vazhdim për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes.

